Friday, 25 November 2011

Demtohet Vujadinovc


Në prag të ndeshjes me Skënderbeun skuadra e Vllaznisë akoma nuk ka gjetur qetësi përsa i përket portës. Miroslav Vujadinoviç në seancën e djeshme stërvitore ka shfaqur sërish shqetësime dhe këmba e tij është ënjtur duke sjellë shqetësime në kampin shkodran. Natyrisht që nuk është aspak një lajm i mirë qoftë për skuadrën por dhe për teknikun Vata në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme dhe të vështirë njëkohësisht. Dëmtimi apo mungesa e Vujadinoviçit sigurisht që është një problem shumë i madh për skuadrën e cila mbështetet në aftësitë e lojtarit për të patur portën sa më të sigurtë. Një mungesë e tij do të krijonte shumë hapësira pasi portierët rezervë Gjokoviç nuk është aspak në lartësinë e duhur e ndërsa Rexhepi nga mosha e re që ka mund të ishte përgjegjësi e madhe për një ndeshje të tillë dhe gabimet më pas mund të ndëshkonin skuadrën. Vujadinoviç ka luajtur i dëmtuar dhe në ndeshjen e kaluar ndaj Apolonisë dhe kur pritej që ai të ishte rikuperuar plotësisht shfaqi sërish dëmtime. Gjtihsesi stafi mjekësor është duke bërë më të mirën dhe maksimumin e mundshëm që lojtari të rikuperohet brenda këtyre 48 orëve.
Vajushi: Po mendoj se si ti shënoj Shehit
“Me ardhjen e Rudi Vatës gjendja ka ndryshuar dhe sigurisht që ne kërkojmë fitoren e radhës pavarësisht se luajmë ndaj Skënderbeut”, kështu është shprehur talenti i Vllaznisë, Armando Vajushi një ditë para ndeshjes përballë korçarëve. Ai është shumë optimist për një fitore tek beson shumë në atmosferën e krijuar në skuadrës si rezultat i frymës që ka injektuar trajneri Vata. “Ne në ndeshjen ndaj Apolonisë treguam në fushën e lojës se në ekip ka një tjetër atmosferë. Këtë nuk e kam them se nuk ka punuar mirë Mirel Josa por që Vata ka sjellë një frymë disi me ndryshe që na ka bërë të gjithëve një grup të vetëm ashtu siç duhet të jetë një skuadër. Besoj se jemi një gjendje të mirë për të arritur atë sukses që ne duam”, ka thënë Vajushi. Përveç fitores ai nuk mendon asnjë rezultat tjetër ndaj Skënderbeut për këtë arsye ka besim se do të ia arrijnë qëllimit. “Përveç fitores unë nuk mendoj asnjë rezultat tjetër. E dimë qe kemi përballë një skuadër të fortë dhe të mirë por ne luajmë në “Loro Boriçi”. Mund të kemi gabuar në shtëpi por mendoj se ka qenë më shumë neglizhim sesa forcë e kundërshtarit përballë nesh. Unë jam i bindur se Vllaznia ka forca për t’u përballur me çdo skuadër në kampionatin shqiptar. Për këtë arsye nuk mendoj asnjë rezultat tjetër përveç fitores”.
E ardhmja - Pavarësisht ndeshjes me Skënderbeun Vajushi është lakuar si një ndër emrat më kryesorë që mund të largohet nga skuadra e Vllaznisë. Ai nuk ka dashur të bëjë asnjë prononcim në lidhje me merkaton para ndeshjes me Skënderbeun por nuk ka ngurruar të theksojë se dëshira e tij është që të luajë me kuqeblutë. “Nuk kam dëshirë që të jap prononcime për merkato përpara ndeshjes. Ne jemi të përqendruar në këtë përballje dhe sigurisht që duhet të bëjmë më të mirën e mundshme tek kjo sfidë. Duhet të harrojmë çdo problem apo projekt për të ardhmen pasi vetëm kështu mund të japim të gjithë më të mirën në fushën e lojës dhe jo vetëm unë. Gjithsesi unë mund të them se dëshira e ime është dhe do të jetë që të luaj gjithmonë tek Vllaznia. Por nuk i dihet dhe në rast se mund të ketë ndonjë ofertë shumë të mirë dhe mund të rishikoj pozicionin tim”, është shprehur Vajushi. Përveç aspektit personal, sulmuesi 19 –vjeçar ka folur dhe për të ardhmen e skuadrës e ku e shikon ai Vllazninë në fund të sezonit. “Për Vllazninë mund të them se do të ketë një ecuri pozitive. Sigurisht që të gjithë duhet të kontribuojmë maksimalisht për të realizuar objektivat e skuadrës. Tashmë nuk ka kaluar shumë nga fillimi i kampionatit dhe mundësitë janë për të përmbysur çdo kundërshtar. Përderisa ekziston mundësia matematikisht mendoj se edhe ne do të luftojmë fortë për të fituar e për të dalë kampion. Në fakt dëshira e ime është dhe do të jetë që të dal kampion me Vllazninë e kjo mund të jetë një shtysë shumë e madhe për mua që të mos e mendoj largimin në janar. Kam besim se Vllaznia këtë sezon do të tregojë vlerat e saj. Shenja më e mirë dhe prova e kthesës sonë sigurisht që do të jetë ndeshja ndaj Skënderbeut që duhet ta fitojmë patjetër”, ka përfunduar sulmuesi i Vllaznisë, Armando Vajushi.
Stërvitje me humor, Sukaj portier
Xhevahir Sukaj e ka marrë më shume optimizëm ndeshjen ndaj Skënderbeut ndaj dhe ka filluar të bëjë dhe rolin e portierit në rast të ndonjë nevoje të mundshme. Në përfundim të ndeshjes së djeshme stërvitore, Rudi Vata kishte planifikuar gjuajtjen e penalltive për të gjithë lojtarët. Pasi përfundojnë të gjithë Sukaj sfidon Vajushin duke bërë rolin e portierit. Natyrisht dhe Vajushi nuk e përton të përballet me Sukajn në dy role krejtësisht të kundërta. Fillimisht Sukaj tregohet i saktë në pritjen e gjuajtjes së parë. Më pas çdo gjë ka folur për Vajushin që ka shënuar 4 gola radhazi ku dhe Sukaj hoqi dorezat. Natyrisht jo më kot Sukaj është dhe golashënuesi më i mirë deri tani në kampionat pasi nuk di të bëjë rolin e portierit, por ti mposhtë ato.
Legata, trajneri i ri i portierëve
Elis Legata është trajneri i ri i portierëve të Vllaznisë duke plotësuar kështu plotësisht stafin e Rudi Vatës pas emërimit të tij në krye të skuadrës shkodrane. Ai ka qenë prezent në pankinë në ndeshjen Dinamo-Vllaznia duke bërë kështu që ai të fillojë dhe punën për trajnimin e portierëve të skuadrës. Ai vetë nuk e ka konfirmuar akoma një gjë të tillë ëpr shkak se akoma nuk ka firmosur zyrtarisht por prania në pankinë në ndeshjen ndaj Dinamos i shuan të gjitha dyshimet. Gjithsesi zyrtarisht ai mund të fillojë punë që nga dita e sotme për shkak se ditën e djeshme ka përfunduar dhe kursin e portierëve që ka organizuar Federata Shqiptare e Futbollit.

No comments:

Post a Comment